Tentuan të udhëtonin me pasaporta të falsifikuara, arrestohen dy shtetas turq në Aeroportin e Prishtinës
Policia e Kosovës ka arrestuar dy shtetas të Turqisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nën dyshimin për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare.
Sipas raportit zyrtar, mëngjesin e së mërkurës, në orën 08:00, një shtetas turk është ndaluar nga autoritetet pasi kishte tentuar të udhëtonte duke përdorur një pasaportë që figuron në emër të një personi tjetër. Pas verifikimeve nga zyrtarët e kontrollit kufitar, u konstatua se dokumenti nuk i përkiste atij personalisht. I dyshuari është arrestuar menjëherë dhe me vendim të prokurorit të rastit, është dërguar në mbajtje.
Në të njëjtën kohë dhe në rrethana të ngjashme, një shtetase tjetër turke është ndaluar në përpjekje për të kaluar kufirin me një pasaportë franceze, gjithashtu në emër të një personi tjetër. Pas konstatimit të falsifikimit, edhe ajo është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Policia e Kosovës ka nisur procedurat hetimore për të zbardhur rrethanat e plota të rasteve, duke përfshirë origjinën e dokumenteve dhe qëllimin e mundshëm të udhëtimit me identitet të rremë.