MPB lansoi fushatën “Festo me zemër, jo me armë” pas rritjes prej 40% të përdorimit të armëve gjatë ahengjeve familjare
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka lansuar sot fushatën vetëdijesuese “Festo me zemër, jo me armë”, me qëllim të ndërgjegjësimit të qytetarëve për rreziqet që paraqet përdorimi i armëve të zjarrit gjatë festimeve, si dhe parandalimit të të shtënave festive, të cilat shpesh përfundojnë me pasoja tragjike për jetën dhe sigurinë publike.
Në konferencën zyrtare të lansimit morën pjesë përfaqësues të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Zëvendësministrin e Punëve të Brendshme dhe Kryesuesin e Komisionit për Armë të Vogla dhe të Lehta, Blerim Gashani, përfaqësuesin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Peter Vallaste, Përfaqësuesin e Përhershëm të UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros, si dhe Drejtorin e Departamentit të Rendit Publik në Policinë e Kosovës, Arbnesh Ajvazi. Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues të institucioneve publike, organizatave ndërkombëtare, bashkësive fetare dhe mediave.
Në fjalën e tij, zëvendësministri Gashani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe qytetar, si kusht për parandalimin e pasojave që vijnë nga posedimi dhe përdorimi i paligjshëm i armëve të zjarrit.
“Misioni ynë është ngritja e nivelit të sigurisë në Republikën e Kosovës, duke garantuar jo vetëm rendin dhe qetësinë publike, por edhe përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët tanë,” deklaroi Gashani.
Ai theksoi se kjo fushatë ka për qëllim ndalimin e gjuajtjeve festive, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të sigurisë, si dhe ndërgjegjësimin e përgjithshëm për rreziqet që sjellin armët e zjarrit në duart e gabuara.
Sipas të dhënave zyrtare të prezantuara gjatë konferencës, numri i rasteve të raportuara për përdorim të armëve gjatë ahengjeve familjare është rritur për 40% krahasuar me vitin e kaluar. Ky trend ka nxitur MPB-në që të vazhdojë fushatën, e cila është vazhdimësi e iniciativës së nisur në vitin e kaluar, dhe që këtë vit shënohet me angazhim të shtuar institucional dhe mbështetje të gjerë ndërkombëtare.
Fushata “Festo me zemër, jo me armë” është mbështetur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, me përkrahje financiare nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Suedia, Holanda dhe Norvegjia, si dhe nga Bashkimi Evropian përmes fondit të mirëbesimit MPTF.
Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Peter Vallaste, dhe drejtori i Rendit Publik në Policinë e Kosovës, Arbnesh Ajvazi, ritheksuan në fjalët e tyre rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe komunitetit, duke bërë thirrje për respektimin e ligjit dhe shmangien e çdo forme të keqpërdorimit të armëve të zjarrit.
Fushata synon krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë qytetarët, veçanërisht gjatë periudhave festive, duke i kujtuar publikut se të shtënat me armë nuk janë shenjë gëzimi, por burim rreziku serioz për jetën e njerëzve të pafajshëm.
“Vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe qasjeve të koordinuara mund të shmangim pasojat e rënda që sjell posedimi i armëve të paligjshme dhe veprimet e pamatura gjatë festimeve,” përfundoi Gashani.