Mbyllen 8 institucione shëndetësore private pa licencë – Ministri Vitia: Shëndeti i qytetarëve nuk do të rrezikohet!

28.06.2025

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se gjatë kësaj jave janë mbyllur tetë institucione shëndetësore private që operonin në mënyrë të jashtëligjshme, pa licencë të vlefshme për ofrimin e shërbimeve mjekësore.

Përmes një deklarate publike, Vitia theksoi se Inspektorati Shëndetësor po vazhdon punën profesionale në terren, me qëllim garantimin e respektimit të ligjit dhe të standardeve në sektorin shëndetësor.

“Si pjesë e inspektimeve të rregullta, këtë javë që po e lëmë pas janë mbyllur 8 institucione shëndetësore private që operonin pa licensë,” deklaroi ministri Vitia.

Ai u bëri thirrje të gjitha institucioneve dhe subjekteve që ofrojnë shërbime shëndetësore, që të respektojnë rregulloret në fuqi dhe të veprojnë në përputhje me ligjin, duke theksuar se shëndeti i qytetarëve është prioritet dhe nuk do të tolerohet asnjë veprim i paligjshëm që e cenon atë.

“Shëndeti i qytetarëve nuk mund dhe nuk do të lejohet që të rrezikohet nga veprimtari të paligjshme,” u shpreh ministri.

Në fund, Vitia falënderoi Inspektoratin Shëndetësor dhe gjithë inspektorët për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në terren.

“Faleminderit Inspektoratit Shëndetësor dhe të gjithë inspektorëve për punën e përditshme dhe të palodhshme,” përfundoi ai.