Vermicë, kishin fshehur 55 mijë euro në trup, Dogana parandalon futjen e mjeteve të padeklaruara
Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Policinë Kufitare ka parandaluar një përpjekje për të futur në mënyrë të paligjshme mjete monetare të padeklaruara përmes pikës kufitare në Vërmicë.
Foto: Ilustrim
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë një kontrolli të detajuar në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës, në orët e para të mëngjesit, një automjet është selektuar për kontroll të dytë pas një deklarimi negativ nga ana e udhëtarëve.
“Gjatë kontrollit janë zbuluar mjete monetare të fshehura në trupin e drejtuesit të automjetit dhe të pasagjerit, në vlerë totale prej 55,000 euro”, thuhet në njoftim.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, janë ndërmarrë veprimet procedurale të nevojshme. Në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizës, është inicuar konfiskimi i 25% të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër është ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e hetimeve.
Dogana e Kosovës ka rikujtuar qytetarët se çdo person që hyn apo del nga territori i Kosovës dhe bart më shumë se 10,000 euro, është i obliguar ta deklarojë shumën në përputhje me legjislacionin në fuqi. Mosdeklarimi përbën shkelje ligjore dhe i nënshtrohet masave ndëshkuese.