Protestë para Kuvendit: Shoqëria civile kundërshton bllokadën politike
Para Kuvendit të Kosovës është duke u mbajtur një protestë nga organizatat e shoqërisë civile, në shenjë pakënaqësie për ngërçin e vazhdueshëm politik që ka paralizuar funksionimin e institucioneve.
Protesta po zhvillohet në prag të përpjekjes së 37-të për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, që deri më tani kanë dështuar për shkak të mungesës së konsensusit politik ndërmjet partive.
Pjesëmarrësit në protestë mbajnë pankarta me mesazhe ironike dhe kritikuese si:
- “Kur t’ju bëhet boll, kallxoni”
- “Deputetë, emri juaj është bllokadë”
- “Karriget janë për punë, jo për pushtet”
Përfaqësues të organizatave kanë deklaruar se kjo bllokadë po dëmton funksionimin demokratik të shtetit dhe po rrezikon besimin e qytetarëve në institucionet përfaqësuese. Ata kërkojnë që deputetët të tejkalojnë interesat partiake dhe të marrin përgjegjësinë për të formuar institucionet sa më parë.