KQZ mblidhet sot për të miratuar kalendarin e aktiviteteve zgjedhore për zgjedhjet lokale

11.06.2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mblidhet sot pasdite, në orën 15:00, për të mbajtur mbledhjen e parë pas shpalljes së datës së Zgjedhjeve Lokale 2025.

Këto zgjedhje, për kryetarë të komunave dhe kuvende komunale, do të mbahen më 12 tetor 2025.

Lajmi është konfirmuar për RTKlive nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili detajoi se çfarë do të përmbajë plani i aktiviteteve zgjedhore.

“Miratimi i afateve dhe i planit të aktiviteteve do të përcaktojë saktësisht fillimin dhe përfundimin e çdo aktiviteti zgjedhor,” ka thënë Elezi. Ai shpjegoi se këto aktivitete lidhen drejtpërdrejt me votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit e zgjedhjeve, dhe përfshijnë një sërë hapash thelbësorë.

Ndër to, Elezi përmendi:

  • Aplikimin e subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje dhe dorëzimin e listës së kandidatëve.
  • Verifikimin e përshtatshmërisë/aftësisë së kandidatëve.
  • Deklarimin e partive politike për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit.
  • Periudhën e regjistrimit si votues jashtë Kosovës dhe votimin jashtë Kosovës.
  • Periudhën për regjistrimin dhe Votimin e Personave me Nevoja të Veçanta (VNPV).
  • Periudhën e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar.
  • Periudhën për aplikimin dhe akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve dhe mediave.
  • Periudhën e emërimit dhe trajnimin e trupave zgjedhore (Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe këshillat e Vendvotimeve).
  • Certifikimin e Listës së Votuesve, e të tjera.