Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, vlerëson lart pjesëmarrjen në “Defender Europe 25” në Shqipëri

09.06.2025

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka marrë pjesë në Ditën e Vizitorëve të Shquar në Republikën e Shqipërisë, me rastin e përmbylljes së Ushtrimit Fushor “Defender Europe 25”.

Gjatë vizitës, gjenerallejtënant Jashari u prit nga Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, i cili e njoftoi për rrjedhën e ushtrimit dhe nivelin e bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Forcave të Armatosura të Shqipërisë (FARSH) dhe njësive të FSK-së.

Gjenerallejtënant Jashari vizitoi nga afër kontingjentin e FSK-së të angazhuar në këtë ushtrim, duke vlerësuar lart përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre. Ai theksoi rëndësinë e kësaj pjesëmarrjeje:

“Pjesëmarrja e FSK-së në një ushtrim të nivelit të DE25 është një dëshmi e qartë e ngritjes së aftësive për të operuar në një mjedis shumëkombësh operacional.”

Në poligonin trajnues të Bizës, përfaqësuesit e lartë ndoqën nga afër demonstrimin e aftësive nga forcat pjesëmarrëse, përfshirë edhe Togun e Mortajave të FSK-së, i cili shfaqi një nivel të lartë përgatitjeje.

Ky angazhim i FSK-së në “Defender Europe 25” konsiderohet një hap thelbësor drejt rritjes së ndërveprueshmërisë me aleatët ndërkombëtarë dhe zhvillimit të mëtejshëm të kapaciteteve operacionale, duke e pozicionuar FSK-në si një forcë të gatshme për misione ndërkombëtare.