Maqedonci dhe Jashari vizitojnë ushtrimet “Defender Europe 25”, vlerësojnë ndërveprimin me NATO-n
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kanë vizituar sot nga afër zhvillimin e ushtrimit të madh ndërkombëtar “Defender Europe 25” në Republikën e Kosovës.
Gjatë vizitës, ata u ndalën fillimisht në komandën e divizionit të 28-të të këmbësorisë së ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili drejton të gjitha brigadat shumëkombëshe në rajonin e Evropës Juglindore.
Më pas, Maqedonci dhe Jashari vazhduan vizitën në Devë, ku panë nga afër Forcën për Detyrë, një batalion shumëkombësh i drejtuar nga regjimenti i dytë i këmbësorisë së FSK-së.
Vizita përfundoi në poligonin për qitje me armë të lehta, një poligon i cili është donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ushtrinë e Kosovës.
Pas vizitave, Ministri Maqedonci theksoi se “Ushtria jonë çdo ditë po dëshmon aftësitë ndërvepruese me ushtritë e vendeve të NATO-s.” Ai gjithashtu vuri në dukje investimet infrastrukturore që po bëhen në zonën kryesore të trajnimit në Babaj të Bokës.
Kjo vizitë e lartë ushtarake dhe politike dëshmon për rëndësinë e madhe që i kushtohet ushtrimit “Defender Europe 25” dhe bashkëpunimit ushtarako-ushtarak mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe vendeve të tjera aleate të NATO-s. Ky ushtrim shërben si një mundësi e shkëlqyer për të dëshmuar dhe forcuar aftësitë e FSK-së në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.