Studentët e Arkitekturës së UP-së triumfojnë në garën globale Inspireli Awards 2024

29.05.2025

Një arritje e jashtëzakonshme vjen nga Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku studentët e këtij fakulteti kanë fituar vendin e parë në edicionin e 9-të të garës prestigjioze ndërkombëtare Inspireli Awards 2024.

Projekti fitues, i titulluar “Sustainable Village – ECOUNITY”, është realizuar nga studentët e talentuar Sibora Ramadani, Eron Shala, Bleranda Hykosmoni dhe Albina Zenunaj, nën udhëheqjen e profesoreshës së tyre, Rozafa Basha.

Ky sukses i madh e ka katapultuar Fakultetin e Arkitekturës së UP-së në Top 10 më të mirat në botë në këtë fushë, duke shënuar një moment historik dhe një arritje të jashtëzakonshme për vetë universitetin dhe për Kosovën në arenën ndërkombëtare të arkitekturës.

Përveç këtij çmimi prestigjioz, studentët kosovarë patën nderin të marrin pjesë në hapjen solemne të Muzeut të Schindler-it, një ngjarje me rëndësi të madhe historike dhe kulturore në fushën e arkitekturës.

Fakulteti i Arkitekturës ka shprehur krenarinë e thellë për këtë arritje të studentëve dhe profesoreshës, duke e cilësuar atë si një moment historik dhe një burim i madh motivimi për gjeneratat e ardhshme të arkitektëve të rinj në Kosovë.

Inspireli Awards njihet si një nga garat më të mëdha dhe më të rëndësishme në nivel global për studentët e arkitekturës, duke tërhequr pjesëmarrës nga mbi 100 shtete të ndryshme të botës. Fitorja e studentëve të UP-së në këtë garë dëshmon cilësinë e lartë të arsimit në fushën e arkitekturës në Kosovë.