Maqedonci: Serbia ka vendosur 70% të ushtrisë në kufi, por FSK dhe aleatët do të mbrojnë çdo pëllëmbë të Kosovës

28.05.2025

Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka reaguar ndaj kërcënimeve të drejtpërdrejta të lëshuara nga Serbia për luftë dhe pushtim, duke theksuar se kërcënimet janë reale dhe se Beogradi zyrtar ka vendosur 70 për qind të ushtrisë së tij në kufirin me Kosovën.

Në një intervistë për A2CNN, Maqedonci ka garantuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), së bashku me aleatët amerikanë dhe të NATO-s, do të mbrojnë çdo pëllëmbë tokë të Kosovës.

“Ne i shohim gjithmonë si të mundshme këto kërcënime. Ne e shohim gjithmonë të mundshme që Serbia në një moment mund të ndërmarrë veprime për të destabilizuar rajonin. Kjo është edhe arsyeja pse ne jemi të përkushtuar që të ndërtojmë një forcë ushtarake të aftë për të mbrojtur territorin e Kosovës, për të mbrojtur jetën e qytetarëve tanë dhe për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në botë, duke përqafuar gjithmonë vlerat e NATO-s, vlerat perëndimore dhe duke shtyrë përpara interesat, të cilat i kemi si vendet demokratike,” ka deklaruar Maqedonci.

Ai ka ngritur shqetësimin për prezencën e bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovën.

“Diku 70% e të gjitha kapaciteteve ushtarake të ushtrisë së Serbisë janë të vendosura në jug të territorit të saj, pra jo larg Republikës së Kosovës. Kësaj duke i shtuar edhe këto 48 bazat e përparme që ne gjithmonë vlerësojmë se paraqesin kërcënim,” ka shtuar ai.

Maqedonci ka theksuar se vendosja e forcave ushtarake nga Serbia në kufi përbën një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.

“Kur fqinji t’i vendosë në kufi forcat ushtarake, në një farë forme apo një tjetër, e kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e atij vendi. Kjo nuk po bëhet rastësisht. Dhe, kur e kemi gjithë këtë prezencë dhe kemi një mbështetje të grupeve kriminale dhe terroriste siç ishte ai i Radoiqiçit, që tentoi aneksim të veriut të vendit tonë, tregon për qasjen agresive që Serbia vijon ta ketë në raport me Republikën e Kosovës,” ka përfunduar Maqedonci.