Arrestohet një person në Kosovë, i dyshuar për spiunazh

06.05.2025

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka njoftuar sot arrestimin e një personi me iniciale H.S., shtetas i Republikës së Kosovës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Spiunazhit”, të sanksionuar nga neni 124 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Arrestimi i të dyshuarit H.S. është realizuar pas një hetimi disa mujor dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore nga ana e Prokurorisë Speciale. Aksioni është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, si dhe me asistencën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Gjithashtu, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata kompetente, është kryer bastisje në dy lokacione të ndryshme në Kosovë. Gjatë bastisjeve, janë sekuestruar prova materiale të rëndësishme për hetimin, përfshirë edhe disa telefona celularë, të cilët dyshohet se janë përdorur nga i dyshuari gjatë kryerjes së veprës penale për të cilën akuzohet.

Prokurori i shtetit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka nxjerrë ndaj të dyshuarit aktvendim për ndalim të menjëhershëm prej 48 orësh. Gjatë kësaj periudhe, ndaj të njëjtit do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin, me qëllim të zhvillimit të suksesshëm të procedurës penale dhe zbardhjes së plotë të rastit.