Urdhërarrest për Milan Radoiçiqin dhe 19 serbë të tjerë për krime lufte në Gjakovë

28.04.2025

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka lëshuar urdhërarrest ndaj terroristit të njohur Milan Radoiçiq dhe 19 serbëve të tjerë, të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare në Gjakovë gjatë periudhës 1998-1999.

Vendimi i gjykatës, i marrë më 15 prill 2025 pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës të datës 27 mars 2025, urdhëron shoqërimin e menjëhershëm me forcë të të pandehurve. Lajmin e ka siguruar Klan Kosova.

Sipas vendimit, të pandehurit akuzohen se në periudhën 7-10 maj 1999, në zonën e njohur si “Ura e Taliqit” në Gjakovë, si pjesëtarë të forcave ushtarake dhe policore serbe, kanë hyrë nëpër shtëpi dhe me forcë e kanosje kanë nxjerrë civilë shqiptarë.

Dyshohet se ata i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe më pas ekzekutuan në mënyrë mizore 106 civilë shqiptarë. Pas luftës, trupat e viktimave u gjetën në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë, duke dëshmuar për barbarinë e kryer.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se Prokuroria Speciale kishte nisur hetimet më 18 mars 2025. Urdhërarresti bazohet në dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprës penale të krimeve të luftës kundër popullsisë civile, sipas legjislacionit penal të ish-Jugosllavisë dhe Kodit Penal aktual të Kosovës.

Në mesin e 20 personave ndaj të cilëve është lëshuar urdhërarresti, përveç Milan Radoiçiqit, përfshihen edhe emra si Milovan Kovacevic, Radomir Colić, Milos Đosan, Predrag Ristić, Srdan Krstić dhe të tjerë, duke treguar shtrirjen e dyshimeve për përfshirjen e një numri të konsiderueshëm personash në këtë krim të rëndë lufte. Ky urdhërarrest pritet të intensifikojë përpjekjet për vënien para drejtësisë të personave përgjegjës për masakrat e kryera gjatë luftës në Kosovë.