Hetimet për krime lufte intensifikohen në Zubin Potok, tre të arrestuar

04.08.2026

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se po vazhdojnë intensivisht hetimet lidhur me rastin e dyshuar të krimeve të luftës në komunën e Zubin Potokut.

Deri më tani, tre persona janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Gjatë hetimeve janë kontrolluar disa lokacione. Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim. Ndërkohë, gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël janë duke vazhduar.

Prokuroria ka bërë të ditur se aktualisht hetimet po zhvillohen edhe në një lokacion të tretë. Prokurorja përgjegjëse ka qenë në vendngjarje së bashku me hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë, për të mbikëqyrur veprimet hetimore.

Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, Prokuroria Speciale ka njoftuar se për momentin nuk mund të japë më shumë detaje, ndërsa informacione të tjera do të publikohen kur të jetë e mundur pa cenuar hetimin.