Pesë të arrestuar në aksionin e Prokurorisë Speciale për rastin “Reçaku II”
Një operacion i përbashkët i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, i zhvilluar në kuadër të hetimeve për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”, ka rezultuar me arrestimin e pesë personave.
Gjatë aksionit policor janë realizuar urdhër-kontrolle në disa lokacione të ndryshme, me qëllim sigurimin e provave dhe avancimin e hetimeve që po zhvillohen lidhur me këtë rast.
Autoritetet kanë bërë të ditur se informacione shtesë do të jepen në një konferencë për media, e cila do të mbahet sot në ora 13:00 në ambientet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në katin e gjashtë.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës pritet të shpalosin detaje të reja lidhur me operacionin dhe veprimet e ndërmarra në kuadër të hetimeve.
