KQZ: Numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike drejt fundit, pastaj votat me postë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike është në fazën finale dhe pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme. Pas kësaj, do të nisë numërimi i votave me postë, një fazë kyçe në përcaktimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
“Aktualisht janë duke u numëruar votat nga votimi në përfaqësitë diplomatike, në ndërrimin e pasdites do të mbesin 11 vendvotime të cilat pritet të përfundojnë sonte. Rezultatet nga numërimi i sotëm së shpejti do të shfaqen në platformën elektronike. Pas tyre do të fillojmë me numërimin e votave të mërgatës që kanë votuar nëpërmjet postës”, kanë deklaruar zyrtarë të KQZ-së.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i votave nga përfaqësitë diplomatike është 15,352. Ndërkohë, sa i përket votave me postë, janë pranuar rreth 69,000 pako me fletëvotime, nga të cilat janë aprovuar 62,990.
Përveç votave nga përfaqësitë diplomatike dhe ato me postë, KQZ-ja do të numërojë edhe 12,801 vota me kusht dhe 2,597 vota të personave me nevoja të veçanta.
Përfundimi i numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike dhe fillimi i numërimit të votave me postë janë hapa të rëndësishëm në finalizimin e rezultatit të zgjedhjeve.