Sulm me thikë në Prizren, tre persona plagosen nga një grup të rinjsh
Një incident i rëndë ka ndodhur sot pas mesnatës në rrugën “Remzi Ademi” në Prizren, ku tre persona janë lënduar si pasojë e një sulmi nga një grup të rinjsh.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00, dhe sipas autoriteteve, është përdorur thika gjatë sulmit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka deklaruar se policia ka reaguar menjëherë dhe po heton rastin. Viktimat janë dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor, ndërsa dy prej tyre raportohen të jenë në gjendje më të rëndë.
“Policia është duke mbledhur prova dhe dëshmi për të identifikuar të dyshuarit,” ka thënë Bytyqi.
Hetimet për rastin janë në zhvillim, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur motivin e sulmit dhe për të arrestuar personat e përfshirë.