Përurohet shërbimi i ri i Fertilizimit të Asistuar Mjekësor në Klinikën e Gjinekologjisë

24.12.2024

Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, ka përuruar sot Shërbimin e Frytnimit të Asistuar Mjekësor (IVF) në Klinikën e Gjinekologjisë.

Ky shërbim i ri, shumëpritur nga familjet dhe çiftet që kanë nevojë për trajtim të fertilitetit, tashmë është i gatshëm të ofrohet në shëndetësinë publike.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti dhe drejtorin e Klinikës, Zef Ndreaj, njoftuan për përfitimet e shumta që ky shërbim do të sjellë për qytetarët e Kosovës.

Për krijimin e këtij shërbimi modern, janë realizuar:

• Investime mbi 2 milionë euro në pajisje të avancuara dhe kushte cilësore.

• Barnat e trajtimit ofrohen falas, pasi janë përfshirë në listën esenciale të barnave.

• Procedurat IVF ofrohen dy herët e para falas, ndërsa më pas me çmime 5 herë më të ulëta sesa në sektorin privat.

Ministri Vitia theksoi rëndësinë e këtij shërbimi për shumë çifte dhe familje që përballen me sfida në frytnim. “Ky është një hap i madh për shëndetësinë publike në Kosovë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët tanë,” tha Vitia.

Shërbimi i Frytnimit të Asistuar Mjekësor është pjesë e angazhimit të Ministrisë së Shëndetësisë për të zgjeruar dhe përmirësuar shërbimet shëndetësore në vend. Ky projekt pason vendimin për unifikimin e çmimeve të barnave, duke sjellë lehtësira të mëdha financiare për qytetarët.