Reagime ndërkombëtare dhe vendore pas moscertifikimit të Listës Serbe

24.12.2024

SHBA, BE dhe Gjermania kanë shprehur shqetësim dhe keqardhje për vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë deklaroi se përfshirja e kritereve politike në procesin e certifikimit dëmton parimet demokratike dhe zgjedhjet e lira e të drejta. “Veprime të tilla minojnë parimet thelbësore demokratike dhe i hapin derën ndikimit politik subjektiv në procesin zgjedhor,” tha zëdhënësi.

Bashkimi Evropian po ashtu shprehu keqardhje për këtë vendim, duke theksuar se procesi i certifikimit duhet të bazohet në standarde ligjore dhe procedura, e jo në shqyrtime politike. “Të gjithë kandidatët duhet të kenë mundësi të barabartë për të marrë pjesë në zgjedhje të lira dhe të drejta,” tha zyra e BE-së në Prishtinë.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ndau të njëjtin shqetësim, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të barabartë të ligjit dhe të një procesi certifikimi të depolitizuar.

Në mbledhjen e KQZ-së, vetëm kryetari Kreshnik Radoniqi votoi për certifikimin e Listës Serbe, ndërsa dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, votuan kundër. Të tjerët abstenuan, duke bllokuar certifikimin. Kundërshtimet kryesore lidhen me mospranimin e shtetit të Kosovës nga kjo parti, e cila e referon atë si “Kosova dhe Metohia”.

Lista Serbe, parti që gëzon mbështetje nga Beogradi, e quajti vendimin të kundërligjshëm dhe njoftoi se një deklaratë zyrtare do të bëhet nga kryetari i partisë, Zllatan Ellek, të martën paradite.

Njohës të çështjeve politike në Kosovë vlerësojnë se ky vendim mund të jetë pjesë e strategjisë së parafushatës së partisë në pushtet.

SHBA-ja u bëri thirrje partive të pakënaqura me vendimet e KQZ-së që të përdorin mekanizmat ligjorë, si Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për të adresuar shqetësimet e tyre.

“Përgjegjësitë e KQZ-së duhet të bazohen në mënyrë të drejtë dhe të paanshme në procedura ligjore, e jo në shqyrtime politike,” theksoi Ambasada amerikane.

Njohësi i zhvillimeve politike, Albert Krasniqi nga organizata joqeveritare Demokraci+, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se, moscertifikimi i Listës Serbe nga KQZ-ja, është pjesë e fushatës parazgjedhore që po bën Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas tij, Lista Serbe do të ankohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe do të hyjë në garën zgjedhore.

“Ligji për zgjedhjet e përgjithshme parasheh që subjektet politike që janë të regjistruar me automatizëm konsiderohen të certifikuara. Çfarë do të ndodhë është se ka afat ligjor, ku brenda 48 orëve Lista Serbe mund të ankohet në PZAP dhe pastaj ky panel ka edhe një afat shtesë prej 48 orëve të tjera për të marrë vendim. Gjithë kjo zhurmë do të zgjasë më së shumti katër ditë dhe jam i sigurt që PZAP-ja do ta kthejë mbrapa ketë vendim të KQZ-së, dhe do ta obligojë KQZ-në që ta certifikojë Listën Serb”, ka thënë Krasniqi.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se KQZ-ja është bërë sërish “pjesë e retorikës politike, duke marrë vendim në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret e tjera në fuqi”.

Sipas tij, një vendim i tillë është vetëm për konsum ditor politik.

“Në fakt, nuk prodhon ndonjë pasojë, për shkak se Lista Serbe tashmë do ta ankimojë ketë rast, dhe bazuar në precedentin e vitit 2019, por edhe të zgjedhjeve të tjera të organizuara në Kosovë, PZAP-ja, do ta rrëzojë ketë vendim dhe do ta obligojë KQZ-në që ta certifikojë, madje është në atë rrethanë edhe pa pasur nevojë farë për votim”.

Cakolli ka sqaruar se vendimet e PZAP-së, apo në rastin tjetër të Gjykatës Supreme, janë drejtpërdrejt të zbatueshme dhe nuk nevojitet më fare votim për aprovim të aplikimit për certifikim ose jo.