Qeveria e miraton vendimin për themelimin e Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për liri

18.12.2024

Më 18 dhjetor 2024, Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për themelimin e konceptit të Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili ka theksuar rëndësinë e këtij institucioni për dokumentimin e krimeve të kryera nga ish-Jugosllavia dhe Serbia ndaj shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera në Kosovë.

“Sot Ministria e Kulturës paraqet propozim-vendimin për themelimin e Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri. Muzeu ka për synim dokumentimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë. Ai synon edukimin, përkujtimin dhe nderimin e brezave, si dhe prezantimin e përjetimit të të mbijetuarve. Objektivi kryesor është ndërtimi i një paqeje të qëndrueshme, duke siguruar që e kaluara e dhunshme të jetë e dokumentuar,” deklaroi ministri Çeku.

Sipas tij, muzeu do të fillojë veprimtarinë si njësi e veçantë brenda Muzeut Kombëtar të Kosovës, ndërsa pas hyrjes në fuqi të ligjit për muzetë, ai do të funksionojë si një institucion i pavarur muzeal me nivel kombëtar.

“Institucioni i Muzeut do të vendoset në ndërtesën ku aktualisht vepron Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa paralelisht do të zhvillojmë procedurën për vendosjen e administratës së ministrisë në një ndërtesë tjetër ose të re,” njoftoi Çeku.

Ky hap shënon një përparim të rëndësishëm për përkujtimin dhe nderimin e viktimave të krimeve të luftës në Kosovë, një ide e propozuar për herë të parë në vitin 2019 nga ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Në atë kohë, Veseli kishte sugjeruar krijimin e një muzeu për përkujtimin e viktimave të gjenocidit dhe dëbimit gjatë luftës së Kosovës, por iniciativa nuk kishte marrë përmasa konkrete deri më tani.

Projekti i miratuar tani shënon një hap të rëndësishëm drejt nderimit të viktimave dhe ruajtjes së kujtesës historike. Vendosja e muzeut në një ndërtesë të dedikuar dhe përfshirja e tij në nivel kombëtar janë tregues të përkushtimit të institucioneve për ta bërë këtë një pikë referimi historike dhe edukative për gjeneratat e ardhshme.