Arrestohen dy persona, dyshohet se bashkëpunuan me BIA-n serbe

05.06.2024

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, të mërkurën në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

Policia e Kosovës ka arrestuar sot në Ferizaj dy persona të cilët dyshohen për spiunazh dhe bashkëpunim me Shërbimin Sekret të Serbisë “BIA”-n.

Të arrestuarit janë Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të dy të nacionalitetit shqiptar.

Ata dyshohen se për shumë vite kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe.