Ministri Murati thotë se nuk do t’i paguajnë ata që protestojnë, kërkon ndërprerjen e grevës
Përmes një konference për media, i pari i ministrisë së Financave, Hekuran Murati ka theksuar se të gjithë punonjësit që janë në grevë nuk do të paguhen. Ministri Murati ka kërkuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) që t’i ndërpresin grevat, të […]
Përmes një konference për media, i pari i ministrisë së Financave, Hekuran Murati ka theksuar se të gjithë punonjësit që janë në grevë nuk do të paguhen.
Ministri Murati ka kërkuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) që t’i ndërpresin grevat, të cilat filluan ditë më parë.
“E drejta e grevës është e garantuar, praktikat nuk e obligojnë punëdhënësin për aq kohë sa është në grevë, grevistët të paguhen. Këtë shembull e ndjekin edhe shtete e tjera. Sindikata i kompenson për greva”, tha Murati.
Në këtë konferencë për media ai theksuar se Projektligji për Paga për sektorin publik do të procedohet në Kuvendin e Kosovës sapo të kthehet legjislativi nga pushimi.
“Kemi procedura Projektligjin për Paga, e do të procedohet në Kuvend. Janë marrë parasysh vërejtjet e përfaqësuesve të arsimit dhe shumë kërkesa”, ka shtuar ai.
Kërkesë kryesore e grevistëve është që punëtorëve të sektorit publik t’u ndahen nga 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për Paga, për çka deri tash nuk ka gatishmëri nga Qeveria e Kosovës.
Pas fillimit të grevës, Ministria e Financave ka kërkuar nga Këshilli Grevist listën e personave që po marrin pjesë në grevë për t’ua ndalur pagën sipas neni 18 të Ligjit për Greva.