Zvicër, tre kosovar kapen duke punuar ‘në të zezë’, gjobiten dhe dëbohen

09.09.2025

Tre kosovarë, dy prej të cilëve me ndalim hyrjeje në zonën Shengen, janë arrestuar dhe dënuar në Zvicër pasi u kapën duke punuar dhe qëndruar ilegalisht në vend.

Ky rast vjen pas një kontrolli të policisë së Zugut në një kantier ndërtimi në komunën e Baar.

Oficerët e policisë ndërmorën një operacion të synuar për të zbuluar punësimin ilegal, ku vëmendjen ua tërhoqën tre skeleristë. Njëri prej tyre, kur pa praninë e policisë, tentoi të largohej duke ikur në një fushë me misër aty pranë, por u kap dhe u arrestua menjëherë. Pas tij, në pranga përfunduan edhe dy kolegët e tij, shkruan urgjent.com.

Të tre burrat, të moshës 24, 29 dhe 34 vjeç, rezultuan të jenë nga Kosova. Hetimet e mëtejshme zbuluan se ata jo vetëm që punonin pa leje, por edhe qëndronin ilegalisht në Zvicër.

Për shkeljet e bëra, Zyra e Prokurorit Publik të Zugut i dënoi me gjykim të shkurtuar. Secili prej tyre u gjobit me disa qindra franga për shkelje të Ligjit për të Huajt dhe Integrimin. I riu 24-vjeçar mori një dënim shtesë për pengim të një akti zyrtar, si pasojë e tentativës së tij për arratisje.

Përveç dënimit me gjobë, tre kosovarët u dëbuan nga Zvicra me urdhër të Zyrës së Migracionit. Për më tepër, ndaj tyre u vendos edhe një ndalim hyrjeje: 24-vjeçari nuk do të lejohet të hyjë në Zvicër për dy vjet, ndërsa 29-vjeçari dhe 34-vjeçari kanë një ndalim hyrjeje prej dy vitesh jo vetëm në Zvicër, por në të gjitha shtetet e zonës Shengen.