Zvicër, shantazh dhe dhunë në burg: 40 vjeçari kosovar dënohet me 8 muaj shtesë
Jeton G., 40 vjeç, një emër i njohur në botën kriminale zvicerane, ka shtuar një kapitull të ri në dosjen e tij penale.
Ndërsa vuante dënimin për vrasje, ai është përfshirë në një skemë shantazhi ndaj një bashkëburgosuri, duke i kërkuar një shumë prej 2000 deri në 5000 franga. Shuma e kërkuar ishte rezultat i borxheve të krijuara nga lojëra ilegale të pokerit në burg.
Për të siguruar pagesën, Jeton G. nuk ka kursyer asnjë mjet. Ai ka kërcënuar jo vetëm viktimën, por edhe familjen e tij. Madje, ka organizuar që disa persona të telefonojnë gruan e bashkëburgosurit dhe të ushtrojnë presion mbi të për të paguar shumën e kërkuar.
Në një përpjekje për të frikësuar viktimën, Jeton G. ka urdhëruar bashkëpunëtorët e tij ta “mësojnë debitorin”, çka ka rezultuar në një sulm fizik ndaj tij.
Gjykata e lartë zvicerane ka konfirmuar dënimin e 8 muajve burg për Jeton G., duke e bërë të qartë se krimet nuk ndalen brenda mureve të burgut. Gjithashtu, ai dhe bashkëpunëtori i tij janë detyruar të paguajnë një dëmshpërblim prej 4000 frangash ndaj viktimës.