Zvicër, arrestohet 37-vjeçari shqiptar, kapet me 5.5 kg kokainë në makinë
Autoritetet doganore zvicerane kanë sekuestruar 5.5 kilogramë kokainë gjatë një kontrolli të kryer në Col-des-Roches, në kantonin Neuchâtel.
Foto: Ilustrim
Lajmin e bëri të ditur të martën Zyra Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare (FOCS).
Gjatë kontrollit të një automjeti, zyrtarët doganorë gjetën drogën e fshehur në mënyrë të dyshimtë. Dy persona u arrestuan në lidhje me rastin dhe iu dorëzuan policisë së Neuchâtel-it, së bashku me substancën narkotike të sekuestruar.
Sipas deklaratës zyrtare, të ndaluarit janë një shtetas shqiptar, 37 vjeç dhe një shtetas spanjoll, 57 vjeç.
Të dy personat janë rezidentë në Spanjë, dhe aktualisht ndodhen nën arrest të përkohshëm, me urdhër të Zyrës së Prokurorit Publik në Zvicër, që ka nisur hetimet mbi rastin.
Autoritetet zvicerane nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi destinacionin e drogës apo lidhjet e mundshme të të dyshuarve me rrjete më të gjera kriminale, por hetimet pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.