Zvicër, 44-vjeçarja kosovare plagoset rëndë me thikë, dyshohet për gjakmarrje
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Bülachut në kantonin e Cyrihut, Zvicër, ku një grua 44-vjeçare është plagosur rëndë me thikë të mërkurën.
Sipas informacioneve të para, dyshohet se motivi i këtij sulmi të dhunshëm mund të jetë gjakmarrja, një praktikë e njohur nga ligji zakonor shqiptar, Kanuni, shkruajnë mediat zvicerane.
Gruaja u gjet e plagosur në një rrugë fushore që lidh Bülachun me Bachenbülachun. Policia kantonale e Cyrihut ka konfirmuar arrestimin e një të dyshuari falë një kërkimi të shpejtë në zonë. Në operacionin e policisë morën pjesë edhe qen policie dhe një helikopter.
E plagosura është transportuar menjëherë në spital me helikopter shpëtimi për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërkohë, policia nuk ka dhënë detaje të tjera mbi lidhjen mes viktimës dhe autorit të dyshuar.
Megjithatë, burime të portalit “20 Minuten” sugjerojnë se ngjarja mund të ketë lidhje me gjakmarrjen. Familjarët e gruas së plagosur janë të tronditur dhe të tmerruar, duke shprehur dyshime se sulmi nuk ishte i drejtpërdrejtë ndaj nënës së pesë fëmijëve. “Ajo mund të ishte shënjestër e sulmit për llogari të saj”, kanë deklaruar ata.
Incidenti i rëndë vjen pas disa shenjave paralajmëruese. Familjarët bëjnë të ditur se kohët e fundit gruas i ishin prerë të katër gomat e makinës. Gjithashtu, një dëshmitar okular, fqinj i familjes, ka parë një burrë të panjohur duke lëvizur para shtëpisë së tyre të martën në mbrëmje. “Nuk e di nëse ishte i njëjti që u arrestua sot, por ai vrapoi rreth e rrotull për rreth një çerek ore duke luajtur me një çakmak. Ai dukej shumë nervoz”, ka thënë dëshmitari.
Detaje shqetësuese vijnë edhe nga dëshmitarë të tjerë. Mëngjesin e së mërkurës, i dyshuari për sulmin është parë me një thikë të gjatë pranë shkollës ku 44-vjeçarja shkon çdo ditë për të marrë fëmijët. Kjo ka shkaktuar panik dhe masa sigurie të menjëhershme në shkollë. “Të gjithë duhej të futeshim brenda dhe klasat u mbyllën”, kanë thënë nxënës të shkollës fillore. Një punëtor ndërtimi nga një kantier aty pranë ka konfirmuar për “20 Minuta” se kishin njoftuar policinë për këtë person, por ai nuk ishte arrestuar ende në atë moment.
Një i afërm i gruas së plagosur ka shpjeguar se ajo punonte në një dyqan ushqimor në komunitet dhe në momentin e sulmit ishte duke shkuar në shkollë për të marrë fëmijët, duke kaluar nëpër rrugën e dheut ku duket se autori e kishte pritur.
Policia po vazhdon hetimet për të zbardhur të plotë motivet dhe rrethanat e këtij sulmi të tmerrshëm.