Zvicër, 33-vjeçari kosovar dëbohet për pesë vjet pas rrahjes së rëndë në festival
Një kosovar 33-vjeçar, i lindur dhe rritur në Zvicër, është dëbuar nga ky vend për një periudhë pesëvjeçare pas shpalljes fajtor për tentativë të lëndimit të rëndë trupor gjatë një përleshjeje të dhunshme në qytetin Solothurn.
Gjykata Supreme Federale e Zvicrës ka refuzuar ankesën e tij ndaj vendimit të mëhershëm të Gjykatës së Lartë Rajonale të Solothurnit, duke konfirmuar si dënimin me burg, ashtu edhe urdhrin për dëbim nga Zvicra.
Ngjarja ndodhi në qershor të vitit 2018 gjatë festivalit lokal “Märetfescht”, kur i riu u përfshi në një konflikt verbal që eskaloi në dhunë fizike. Gjatë përleshjes, viktima u godit me shqelma dhe pësoi lëndime serioze në kokë, duke u shtruar më pas në spital. Policia kishte intervenuar në vendngjarje në orët e para të mëngjesit, ku kishte gjetur viktimën pa ndjenja.
Sipas aktgjykimit të dhjetorit 2022, Gjykata e Lartë e kishte dënuar kosovarin me 30 muaj burgim, prej të cilëve një pjesë është pezulluar. Gjykata kishte vlerësuar se i pandehuri kishte vepruar me agresivitet dhe me qëllim të qartë për të shkaktuar dëm.
Megjithëse i lindur në Zvicër dhe posedues i lejes së përhershme të qëndrimit (leje C) që nga viti 2001, gjykatat zvicerane vlerësuan se ai ishte vetëm pjesërisht i integruar, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë shoqëror. Ai është i martuar me një shtetase kosovare që jeton në Kosovë, por procedurat penale kanë penguar bashkimin familjar. Gruaja e tij tashmë ka kërkuar divorc, ndërsa ai vetë ka shprehur frikë për gjakmarrje në rast se kthehet në Kosovë.
Gjykata Federale thekson se, përkundër kushteve personale që e bëjnë rastin “në kufi” për nga vështirësitë, ai nuk ka treguar përmirësim të sjelljes edhe pas paralajmërimeve të mëparshme nga autoritetet e migracionit. Ai ka pasur dënime të shumta, përfshirë shkelje të rënda të rregullave të trafikut dhe akte të dhunshme në kantonet Cyrih dhe Lucern.
“Duhet të ketë qenë i vetëdijshëm për pasojat ligjore të një vepre të re penale,” thuhet në vendimin e Gjykatës Federale, e cila vlerëson se ai vetë zgjodhi të përfshihej në një tjetër krim të dhunshëm.
Vendimi (7B_791/2023), i datës 19 maj 2025, e obligon kosovarin të largohet nga Zvicra për të paktën pesë vjet, duke humbur përkohësisht të drejtën për të jetuar në vendin ku ka lindur.