Zvicër, 29-vjeçari nga Kosova dënohet me gati 22 mijë franga, u kap duke vozitur nën ndikimin e kokainës
Zyra e prokurorit publik në kantonin Aargau ka dënuar një 29-vjeçar nga Kosova, i cili u kap duke vozitur një furgon shpërndarjeje nën ndikimin e lëndëve narkotike.
Foto: Ilustrim
Gjatë kontrollit, oficerët vunë re se gjendja e shoferit nuk ishte normale. Bebëzat e tij ishin të ngushta, sytë të skuqur, qëndrimi i paqëndrueshëm dhe sjellja e shqetësuar. Pas një testi të drogës, rezultoi se ai kishte konsumuar kokainë para se të ulej në furgon, raporton platforma urgjent.com.
Në shikim të parë, rasti mund të dukej si një shkelje e zakonshme komunikacioni. Megjithatë, pasoja për 29-vjeçarin do të jenë të rënda. Prokuroria e Aarau-Lenzburg ka lëshuar më 24 tetor ndaj tij një gjobë përmbledhëse me vlerë totale afër 22 mijë frangave zvicerane.
Shuma më e madhe e gjobës përbëhet nga 140 tarifa ditore, secila në vlerë prej 140 frangash, që së bashku arrijnë 19,600 franga zvicerane. Ndryshe nga rastet tjera ku gjobat pezullohen me kusht për një periudhë vëzhgimi, në këtë rast gjoba është caktuar e pakushtëzuar, që do të thotë se ai duhet ta paguajë detyrimisht.
Ndërkohë, është konstatuar se burri është shkelës i përsëritur i rregullave të komunikacionit. Ai ka vozitur edhe pa patentë shoferi, të cilën autoritetet e trafikut rrugor ia kishin revokuar pa afat që në pranverën e vitit 2020.
Ky rast rikthen vëmendjen tek rrezikshmëria e vozitjes nën ndikimin e substancave narkotike dhe pasojat e rënda ligjore që mund të pasojnë, sidomos për ata që shkeljet i përsërisin. Autoritetet zvicerane kanë paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë të jenë të rrepta, kryesisht për drejtuesit profesionistë të mjeteve.