Zvicër, 26-vjeçari kosovar tenton t’i shpëtojë policisë, braktis makinën dhe fsheh armë zjarri
Një ndjekje me makina si në filmat aksion ka tronditur zonën e Staadit në Zvicër të shtunën pasdite. Protagonisti, një 26-vjeçar kosovar, tentoi t’i shpëtonte një kontrolli policor, por pas një arratie të rrezikshme u arrestua.
Foto: Ilustrim
Gjithçka nisi pak pas orës 16:00, kur një patrullë e Policisë Kantonale të St. Gallen vuri re një makinë në zonën e portit të Staadit dhe sinjalizoi shoferin që të ndalonte për një kontroll rutinë. Por në vend që të bindet, shoferi shtypi gazin dhe nisi një arrati të çmendur drejt Thal.
Ndjekja ishte sa dramatike, aq edhe e rrezikshme. 26-vjeçari nuk hezitoi të bëjë manovra të rrezikshme, duke kaluar në drejtim të gabuar në rrugë me një kah dhe duke rrezikuar disa përdorues të tjerë të rrugës. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë, policia u detyrua të ndërpresë ndjekjen aktive, por menjëherë nisi një kërkim masiv.
Makina e braktisur u gjet shpejt në një park industrial, ndërsa një qen policie u thirr për të gjetur shoferin. Pas pak, ai u gjet i fshehur dhe u vu në pranga.
Gjatë arratisë, policët kishin vënë re se shoferi kishte hedhur diçka nga dritarja e makinës. Pas një kontrolli, doli që ajo ishte një çantë që përmbante një armë zjarri të mbushur. Hetimet e mëtejshme zbuluan gjithashtu substanca të dyshuara narkotike.
Arrestimi nxori në dritë edhe disa fakte të tjera shqetësuese. 26-vjeçarit, i cili jeton në rajon, i ishte revokuar leja e drejtimit prej kohësh. Gjithashtu, ekzistojnë dyshime se ai ishte nën efektin e substancave, prandaj i është kërkuar të japë një mostër gjaku dhe urine.
I riu do të raportohet në zyrën e prokurorit publik të kantonit të St. Gallen, ku do të përballet me akuzat për shkelje të shumta ligjore, duke filluar nga arratia nga policia e deri te posedimi i armëve dhe substancave të paligjshme.