Autobusi me targa të Kosovës shkakton aksident zinxhiror në Zvicër, arrestohet shoferi 61 vjeçar
Një autobus me targa të Kosovës është përfshirë në një incident trafiku në Cyrih të Zvicrës, mëngjesin e së enjtes, më 23 tetor, rreth orës 06:30. Ngjarja ka ndodhur në Tunelin Üetliberg, në autostradën A3, transmeton albinfo.ch.
Sipas njoftimit nga Policia Kantonale e Cyrihut, autobusi po udhëtonte drejt Churit kur, pas daljes nga tuneli, shoferi ndaloi në korsinë e parakalimit për shkak të trafikut të dendur. Më pas, ai u kthye pak mbrapa, me gjasë për të ndryshuar drejtimin dhe për të vazhduar në drejtim të qytetit të Cyrihut.
Në atë moment, pesë automjete u përplasën nga mbrapa, duke shkaktuar një aksident zinxhir. Fatmirësisht, nuk ka pasur persona të lënduar, por ngjarja ka bllokuar për disa kohë trafikun në atë pjesë të autostradës.
Një zyrtar policie, që po shkonte në punë në momentin e incidentit, pa manovrën e rrezikshme të autobusit dhe njoftoi autoritetet. Pas disa minutash, Policia e Qytetit të Cyrihut arriti ta identifikojë autobusin dhe informoi Policinë Kantonale.
Shoferi i autobusit, një 61-vjeçar me shtetësi kosovare, u arrestua përkohësisht. Ai do të përballet me akuza për shkelje të rëndë të rregullave të trafikut dhe i është ndaluar drejtimi i automjeteve në territorin e Zvicrës.
Rrethanat e sakta të aksidentit dhe veprimet e shoferit janë ende nën hetim nga autoritetet zvicerane. Ndërkohë, incidenti ka shkaktuar vonesa të mëdha në komunikacion, që janë shtrirë deri në kryqëzimin e autostradës Cyrih-Perëndim pranë Wettswil.