Votojnë ish-krerët e UÇK-së në Hagë
Qytetarët e Kosovës që po mbahen në Dhomat e Specializuara në Hagë kanë marrë pjesë në votimet për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.
“Mund t’iu konfirmoj se shtetasit e Kosovës që ndodhen në Dhomat e Specializuara, në Hagë, kanë realizuar të drejtën kushtetuese dhe kanë votuar në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, sipas procedurave dhe akteve nënligjore të KQZ-së,” deklaroi Elezi.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur figura të njohura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Hagë. Ndër ta janë ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi.
Pjesëmarrja e tyre në zgjedhje përmes votës është një kujtesë e rëndësisë së të drejtave demokratike, edhe për ata që po përballen me procese gjyqësore në arenën ndërkombëtare.