Sot votohet në Suharekë – 69.770 qytetarë me të drejtë vote
Sot në Komunën e Suharekës po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, ku qytetarët do të zgjedhin kryetarin e ri të komunës për katër vitet e ardhshme.
Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në këtë komunë kanë të drejtë vote 69.770 qytetarë. Ndër ta, 105 janë të rinj që do të votojnë për herë të parë, ndërsa 3.325 qytetarë nga Suhareka që jetojnë jashtë Kosovës kanë gjithashtu të drejtë të ushtrojnë votën e tyre.

Procesi i votimit ka nisur sot në orën 07:00 të mëngjesit në të gjitha qendrat e votimit të komunës, ndërsa pritet të përfundojë në orën 19:00.
Zgjedhjet po zhvillohen në një atmosferë të qetë dhe deri më tani nuk janë raportuar ndonjë parregullsi në qendrat e votimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të dalin në votim, duke kontribuar në një proces të rregullt dhe të lirë zgjedhor.