Shala: Kosova meriton fushatë elektorale dinjitoze dhe një debat politik të bazuar në ide dhe vlera
Në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë, zëri i shqetësimit për nivelin e diskursit politik është bërë gjithnjë e më i dëgjueshëm.
Fushata elektorale, e cila duhet të shërbejë si një platformë për prezantimin e programeve dhe vizioneve të ndryshme politike, po karakterizohet nga një gjuhë e urrejtjes, e linçimit dhe e përbuzjes së kundërshtarëve politikë.
Dr. Ardian Shala, kandidat i LDK-së për deputetë, ka ngritur zërin për një fushatë elektorale të qetë dhe dinjitoze. Ai thekson se Kosova, një vend që ka përjetuar sfida të mëdha historike, meriton një debat politik të bazuar në ide dhe vlera, e jo në sulme personale dhe akuza pa bazë.
Shala argumenton se përdorimi i një gjuhe kaq të ashpër dhe denigruese ndaj kundërshtarëve politikë është i papranueshëm dhe tejkalon çdo kod etik. Ai bën thirrje që të ndërrohet rrjedha e kësaj fushatate dhe të kthehemi në një debat të bazuar në programet qeverisëse, në idetë për zhvillimin e vendit dhe në interesin e qytetarëve.
“Apel për fushatë të qetë dhe dinjitoze. Fushatat elektorale duhen pranuar e trajtuar si një ngjarje të shumëpritur e të mirëpritur dhe shumë të vonuar që ka ndodhur ne vendin tonë.
Fushatat elektorale në liri në atdheun tonë do të duhej të ndodhnin shumë dekada para fillim shekullit XXI. Por meqë nuk e patëm fatin historik sikur të popujve tjerë, atëherë ky popull i stërvuajtur meriton fushata dinjitoze. Dhe së paku të përpiqemi t’i tregojmë botës pjekurinë tonë politike dhe jo të kundërtën.
Edhe në fushatat paraprake elektorale gjuha e liçimit për kundërshtarët politikë ka qenë shumë prezente dhe shumë e ashpër. Por kësaj radhe e ka kaluar çdo kod etike. Nuk mund dhe nuk duhet të përdoret gjuhë denigruese deri në ekstrem për asnjërin kundërshtar politik, siq po ndodh sot nga ata që janë, le të themi në krizë votash.
Gara zgjedhore, si çdo garë tjetër duhet të ketë normat e veta të cilat nuk duhen tejkaluar nga askush. Nuk mund të zëvendësohet me të shara e të bërtura, me piskama e linçime paaftësia për të garuar me vlera, me ekip të fortë, me program qeverisës në një fushatë normale elektorale.
Në secilën parti politike në Kosovë ka anëtarë e veprimtarë me virtyte të larta njerëzore, intelektuale e patriotike. Nuk mund t’u themi as “zuzarë” as “plansa” e as “miza” .
Nuk mund t’i themi askujt as serb e as proserb pa pasur një dëshmi të fortë apo një vendim gjykate nëse mund të ketë për të këtilla raste.
Ne para se të jemi politikanë jemi njerëz të këtij vendi e kësaj toke, para se të jemi politikanë ne jemi qytetarë të Republikës. Nëse misioni ynë është e mira shtetit atëherë të sillemi si i ka hije një shtetasi. Dhe jo të bëhemi gazi i botës.” thuhet në apelin e Dr.Ardian Shalës.