Rajoni i Prizrenit: Mamusha kryeson me daljen më të lartë të votuesve deri ora 11:00, Dragashi me më të ulëtën

09.02.2025

Të dhënat më të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tregojnë për një pjesëmarrje të ndryshme të votuesve në komunat e rajonit të Prizrenit deri në orën 11:00 të mëngjesit të sotëm.

Komuna e Mamushës ka shënuar daljen më të lartë të votuesve, me 11.26% të qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës. Nga gjithsej 4,699 votues të regjistruar, deri në këtë orë kanë votuar 529 qytetarë.

Në anën tjetër, Komuna e Dragashit ka regjistruar daljen më të ulët të votuesve, me vetëm 3.94%. Nga 40,263 votues të regjistruar, deri në ora 11:00 kanë votuar 1,587 qytetarë.

Komuna e Suharekës ka shënuar një pjesëmarrje prej 8.57%, ku nga 68,101 votues të regjistruar, kanë votuar 5,836 qytetarë.

Ndërsa në Komunën e Prizrenit, nga 182,939 votues me të drejtë vote, deri në ora 11:00 kanë votuar 10,019 qytetarë, që përbën 5.48% të elektoratit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 po zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe pa ndonjë incident në të gjitha komunat e Kosovës. KQZ vazhdon të monitorojë procesin në bashkëpunim me autoritetet përkatëse, duke siguruar një mbarëvajtje të qetë dhe demokratike të zgjedhjeve.