Përplasje për votën e diasporës – LVV kërkon dërgim elektronik, PDK insiston te fletëvotimi origjinal

25.11.2025

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka shpërthyer debat lidhur me mënyrën se si duhet të dërgohen fletëvotimet për qytetarët e Kosovës që votojnë nga diaspora.

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që procesi të zhvillohet sipas rregullores në fuqi – pra, duke dërguar fletëvotimet fizike në adresat e votuesve jashtë vendit. Kjo kërkesë është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka propozuar një zgjidhje alternative: dërgimin e fletëvotimeve përmes e-mailit.

Gjatë mbledhjes së KQZ-së, ku po shqyrtohej plani buxhetor për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, përfaqësuesit e PDK-së, Arianit Elshani dhe Ilir Gashi, insistuan që fletëvotimet për diasporën të dërgohen në formë origjinale, ashtu siç e përcakton rregullorja aktuale. Sipas tyre, ndryshimi i procedurës do të ishte i gabuar dhe do të binte ndesh me normat e vendosura.

Pas diskutimeve, KQZ miratoi planin e buxhetit për organizimin e zgjedhjeve, duke përfshirë edhe amendamentin e PDK-së që kërkon respektimin e procesit tradicional të dërgimit fizik të fletëvotimeve. Vendimi u miratua me gjashtë vota pro, ndërsa kundër votuan anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ si dhe kryesuesi i komisionit, Kreshnik Radoniqi.

Ky debat pritet të mbetet një nga çështjet kryesore të procesit zgjedhor, meqë diaspora përbën një pjesë të rëndësishme të trupës votuese dhe mënyra e votimit të tyre ka qenë vazhdimisht temë diskutimesh në zgjedhjet e kaluara.