Pas vendimit të KQZ sot pritet të rinumërohet kutia “problematike” 2404/01 e Sallagrazhdës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për rinumërimin e 16 kutive të votimit, të cilat i takojnë vendvotimeve të komunave të ndryshme të vendit.
Sipas Rregullores Zgjedhore për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), rinumërimi rekomandohet në rastet kur gjatë procesit konstatohen mospërputhje – për shembull, kur numri i nënshkrimeve në listat e votuesve është më i madh ose më i vogël se numri i fletëvotimeve në kuti.
Procesi i rinumërimit pritet të zhvillohet në QNR në Prishtinë, nën mbikëqyrjen e zyrtarëve të KQZ-së dhe vëzhguesve të akredituar.
Nga ky vendim bëhet e ditur se edhe një kuti e votave në Komunën e Suharekës do të rinumërohet, 2404/01, në Sallagrazhdë.
Në qendrën e numërimit në Suharekë ishtë evidentuar një rast i pazakontë nga kutia e votimit 2404/01 e fshatit Sallagrazhdë, ku janë gjetur katër fletëvotime më shumë se nënshkrime në listën e votuesve.
Pas konstatimit të mospërputhjes, kutia ishte procesuar në mënyrë të rregullt dhe ishte dërguar për verifikim në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) në Prishtinë.