Muharremaj: Fjala e dhënë, punë e kryer!
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, përmes një videoje të publikuar sot, ka prezantuar projektet kryesore që synon t’i realizojë gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar.
Në videon e publikuar në rrjete sociale, Muharremaj ka theksuar se prioritet do t’i jepet zhvillimit të infrastrukturës, përmirësimit të kushteve të jetesës për qytetarët dhe modernizimit të shërbimeve komunale.
Ndër projektet që ka përmendur janë ndërtimi i stacionit të ri të autobusëve, pishina gjysmë olimpike, objekti i ri i zjarrfikësve, si dhe ofrimi i kujdesit për të moshuarit nëpër shtëpi nga ekipet mjekësore komunale.
Po ashtu, Muharremaj ka paralajmëruar ndërtimin e shkollës “7 Marsi” dhe një studim fizibiliteti për ngrohtoren e qytetit, që sipas tij do të jetë një hap drejt efikasitetit energjetik dhe mbrojtjes së mjedisit.
Në fund të videos, ai ka përmbyllur mesazhin e tij me moton: “Fjala e dhënë, punë e kryer.”
Zgjedhjet lokale, në të cilat pritet të vendoset për mandatin e ardhshëm të kryetarit të Komunës së Suharekës, do të mbahen më 9 nëntor 2025, në raundin e dytë të garës.