Mandatar të dytë apo zgjedhje të reja? – 5 nëntori vendos fatin politik të Kosovës

31.10.2025

Pas dështimit të formimit të Qeverisë së re të Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar sot një takim konsultativ me krerët e partive kryesore politike: Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, Lumir Abdixhiku nga LDK, Ramush Haradinaj nga AAK, dhe Memli Krasniqi nga PDK.

Ky takim u mbajt pasi mandati i parë për formimin e qeverisë, i dhënë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përfundoi pa sukses për shkak të mungesës së shumicës parlamentare për ta votuar kabinetin qeveritar në Kuvend.

Pas përfundimit të takimit, liderët e partive politike u deklaruan për media duke konfirmuar se asnjëra prej partive nuk e ka siguruar shumicën e votave, ndërsa shumica e tyre shprehën qëndrimin se zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e reja.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit me presidenten e vendit, ka deklaruar se është bërë e qartë se nuk ekziston shumicë parlamentare për formimin e një qeverie të re.

“Në këtë takim u bë e qartë edhe njëherë që nuk ka shumicë parlamentare, I takon presidentes që të përcaktoj a ka shumicë apo jo, ka pretendime nga kryetari i VV-së se ndoshta duhet provuar edhe njëherë por shumica e partive politike ishin të qartë që nuk kanë shumicë. Nuk folëm për data as marrëveshje por ishim për të dhënë qëndrimet politike dhe presidentja të vlerësoj a ka mundësi për një shumicë. U diskutua për planin e rritjes dhe trajnimin e një faze kalimtare të buxhetit, u fol për kalimin e buxhetit të vjetër. Qëndrimi jonë është sa më herët të përcaktohet zgjedhjet më herët bëhen qeveria dhe e bënë buxhetin e ri. Ne u deklaruam zyrtarisht që nuk kemi as mundësi as legjitimitet që të ketë shumicë për qeveri” tha Abdixhiku.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka deklaruar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Presidentja kërkoi nga ne që të sqarojmë a e kemi shumicën parlamentare për qeverinë, sikurse që kërkoi nga ne që të gjendet zgjidhje e përkohshme për Buxhetin dhe për Fondet e BE-së. Në realitetin e tashëm, po shkojmë drejt zgjedhjeve parlamentare. Presidentja ka afat deri më 5 nëntor afat kushtetues, kur besoj se do ta marrim edhe lajmin për shpërbërjen e parlamentit. Do të ishte në interes të Kosovës të caktohet data sa më herët, data 7 dhjetor do të ishte opsion”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, deklaroi se asnjëra parti nuk mund të krijojë shumicën e re parlamentare.

“Diskutuam rreth mundësisë, ose jo, të në mandatari të ardhshëm, dhe ajo që është më e rëndësishme nga ky takim, është që u bë e qartë se askush nuk mundet me e kriju shumicën e re parlamentare bazuar në legjislaturën aktuale. Në këtë moment, rruga përpara është vetëm shpallja e zgjedhjeve duke nënvizuar se zgjedhjet e reja parlamentare tani duken të pashmangshme dhe se ai kërkoi që të organizohen sa më shpejtë.” tha Krasniqi.

Nga ana tjetër, në fjalën e saj pas takimit, Presidentja Vjosa Osmani theksoi se nuk do të nxitojë drejt shpërndarjes së Kuvendit, por do të mbetet në kontakt të vazhdueshëm me liderët politikë deri më 5 nëntor 2025, datë kur përfundon afati kushtetues për caktimin e mandatarit të dytë për formimin e qeverisë.

“Fat i keq për Kosovën që partitë politike nuk kanë arritur të konsolidojnë të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë. Bashkë me kohën, kemi humbur shumë mundësi për vendin tonë. Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese thonë që presidentja duhet të bëjë çmos t’i evitojë zgjedhjet. Detyrimi i presidentes është që të bëjë çmos t’i evitojë zgjedhjet. Do t’iu lusim për pak durim edhe pak ditë, derisa të sqarohen të gjitha rrethanat për caktimin e mandatarit të dytë,” deklaroi Osmani.

Presidentja theksoi se do të vazhdojë komunikimin me të gjitha partitë parlamentare, duke ftuar çdo lider që pretendon se mund të sigurojë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë, ta njoftojë zyrën e saj brenda afatit kushtetues.

Nëse deri më 5 nëntor asnjë parti nuk arrin të propozojë mandatarin me mbështetje të shumicës, pritet që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat mund të mbahen në dhjetor të këtij viti.