LVV dorëzon sërish ankesë në PZAP kundër certifikimit të Listës Serbe nga KQZ

02.01.2025

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar sot një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për certifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme.

Në një njoftim për media, Vetëvendosje e ka cilësuar këtë vendim si të kundërligjshëm dhe të paprecedent.

Sipas Vetëvendosjes, certifikimi i Listës Serbe është bërë pa votimin e anëtarëve të KQZ-së, çka, sipas tyre, bie në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Lëvizja theksoi se një vendim i tillë nuk përfaqëson vullnetin e KQZ-së dhe e cilësoi procesin si një veprim të paligjshëm.

Në reagimin e saj, Vetëvendosje ka përsëritur kritikat ndaj Listës Serbe, duke e cilësuar këtë subjekt politik si një strukturë që, sipas tyre, ka lidhje me veprime që bien ndesh me interesat e shtetit të Kosovës.

“Lista Serbe ka qenë dhe mbetet partia e kryeterroristit Radojçiq. Ajo shërben si strukturë që mbron dhe amniston terrorizmin,” thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.

Vetëvendosje theksoi rëndësinë e ruajtjes së rendit ligjor dhe integritetit të institucioneve të pavarura si KQZ-ja. Ajo akuzoi institucionin për shkelje të Ligjit për Zgjedhje dhe praktikave të rregullta, duke lejuar, sipas saj, që një subjekt si Lista Serbe të përfshihet në procesin zgjedhor në mënyrë të kundërligjshme.

“Institucionet e pavarura të Republikës duhet të mbrojnë rendin kushtetues dhe ligjor, duke ruajtur integritetin e tyre institucional,” u shpreh Vetëvendosje.

Përmes ankesës së dorëzuar, Vetëvendosje kërkon anulimin e vendimit për certifikimin e Listës Serbe dhe mbrojtjen e rendit ligjor në procesin zgjedhor.