Kurti: Mërgimtarët të votojnë, ndryshe u mbetet metoda e vjetër: me aeroplan, autobus ose veturë!

05.01.2025

Në një tubim të zjarrtë në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, kryeministri Albin Kurti i bëri thirrje mërgimtarëve të regjistrohen për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Për ata që nuk e kanë bërë ende këtë, Kurti u ofroi një zgjidhje alternative, por më tradicionale: “Ata të cilët nuk janë regjistruar, u mbetet metoda e vjetër: me aeroplan, autobus ose veturë,” u shpreh ai me humor.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti bëri një pasqyrë të arritjeve të qeverisë së tij gjatë vitit 2024, duke theksuar rritjen ekonomike pa borxhe të reja dhe duke premtuar reforma të thella në sistemin e drejtësisë. Një nga prioritetet kryesore të mandatit të ardhshëm, sipas Kurtit, është miratimi i Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Të dashur mitrovicas, deri tash e kanë shty, nuk munden ma. Do të bëhet Byroja. Secili do të tregojë sa ka pasuri. Nuk kemi kurrgjë kundër njerëzve të pasur, veç duhet me na kallëzu kah i kanë marrë paret,” deklaroi Kurti, duke shtuar se reforma e Këshillit Prokurorial të Kosovës është po ashtu e domosdoshme.

Duke folur për situatën në veri të Kosovës, Kurti theksoi se ligjshmëria dhe kushtetutshmëria janë vendosur në mënyrë të qëndrueshme. Ai i cilësoi sulmet terroriste në Banjskë dhe në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit” si aksione të dështuara, duke shprehur bindjen se çdo përpjekje e tillë do të përfundojë në dështim. “Ata sa herë të provojnë do të dështojnë,” u shpreh ai me vendosmëri.

Tubimi në Mitrovicë shërbeu si një platformë për kryeministrin Kurti për të riafirmuar angazhimin e tij për një Kosovë më të mirë dhe më të drejtë. Mesazhi i tij drejtuar mërgimtarëve u shoqërua me thirrje për bashkim dhe përkrahje për projektet e qeverisë.