Kurti: Bashkëpunimi me minoritetet, thelbësor për qeverinë e re
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka nisur zyrtarisht konsultimet politike për formimin e qeverisë së re, pas fitores së thellë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka zhvilluar takime me përfaqësues të partive të minoriteteve në Kosovë, duke shprehur vullnetin për një bashkëpunim të ngushtë dhe të vazhdueshëm.
Në një shkrim në profilin e tij, Kurti ka theksuar se rezultatet e zgjedhjeve dëshmuan mbështetjen e madhe të qytetarëve për LVV-në, duke i dhënë partisë fituese përgjegjësinë për të nisur konsultimet për formimin e qeverisë së re.
“Si partia fituese, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe fillimit të afatit kushtetues, kemi përgjegjësinë dhe obligimin e nisjes së konsultimeve politike për formimin e qeverisë së re. Gjatë ditës së sotme këto konsultime politike i nisëm me disa prej partive të minoriteteve në Kosovë, përkatësisht me kryetaren e Partisë së Re Demokratike (NDS), Emilija Rexhepi, kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq dhe kryetarin e partisë Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi,” ka deklaruar Kurti.
Kreu i LVV-së ka falënderuar partnerët e minoriteteve për bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm gjatë mandatit të kaluar qeverisës, duke shprehur gatishmërinë për ta thelluar dhe vijuar këtë partneritet edhe në katër vjeçarin e ardhshëm.
“Bashkëpunimin e kemi patur të ngushtë dhe të frytshëm gjatë këtij mandati qeverisës, për çka i falënderova për punën, dedikimin dhe angazhimin e tyre. Partneritetin tonë do ta thellojmë e vijojmë tutje bashkarisht edhe në katër vjeçarin e ardhshëm, për më shumë punë të mira e të mbara, në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim,” ka theksuar Kurti.
Nisja e konsultimeve politike shënon një hap të rëndësishëm në procesin e formimit të qeverisë së re, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. LVV, si partia fituese, ka filluar të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar një qeverisje stabile dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë edhe komunitetet e minoriteteve në vend.