KKZ Suharekë informon të moshuarit në Gjinoc për procesin zgjedhor
Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Suharekë ka zhvilluar një vizitë në Shtëpinë e të Moshuarve në Gjinoc, ku ka informuar banorët për detaje të rëndësishme lidhur me zgjedhjet e ardhshme.
Foto: Ilustrim
Gjatë këtij takimi, banorët u njoftuan për procedurat e regjistrimit si votues të kësaj kategorie, mënyrat praktike të votimit dhe rëndësinë që ka pjesëmarrja e tyre në procesin zgjedhor. Po ashtu, u shpjeguan edhe të drejtat dhe lehtësirat e garantuara për personat e moshuar gjatë ditës së votimit.
Banorët dhe stafi i institucionit shfaqën interesim të madh, duke u informuar për të gjitha hapat e nevojshëm që u mundësojnë një pjesëmarrje të lehtësuar dhe të sigurt në zgjedhje.
Ky aktivitet i KKZ-së është pjesë e përgatitjeve për zgjedhjet lokale, me qëllim që të gjithë qytetarët, përfshirë edhe të moshuarit, të jenë të informuar dhe të përfshirë në mënyrë të barabartë në procesin demokratik.