Haradinaj premton zhvillim ekonomik dhe siguri në Deçan
Koalicioni AAK-NISMA-Konservatorët-Forumi Intelektual E30-IDEAL ka mbajtur sot tubimin zgjedhor në Isniq të Deçanit, ku kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka premtuar se ky koalicion do të punojë për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e sigurisë në Kosovë.
Haradinaj ka theksuar potencialin e Deçanit si qendër të turizmit malor, duke premtuar investime të mëdha për ta shndërruar këtë zonë në një destinacion tërheqës për turistët nga e gjithë Ballkani. Ai ka thënë se turizmi dhe bujqësia mund të jenë shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të komunës, dhe se qeveria e tij do të mbështesë fuqishëm këto sektorë.
“Do të investojmë dhe do ta shndërrojmë këtë zonë në adresë ballkanike të turizmit. Turizmi dhe bujqësia mund të bëhen shtylla të zhvillimit ekonomik të Komunës, e për realizimin e të cilave do ta ketë edhe dorën e Shtetit,” ka thënë Haradinaj.
Ai gjithashtu ka premtuar mbështetje për studentët, të rinjtë, bujqit dhe bizneset, duke përmendur bursa për studentë, mbështetje financiare për të rinjtë që duan të fillojnë biznese të vogla, trefishim të subvencioneve për bujqit dhe lehtësira për rritjen e bizneseve.
Një tjetër pikë e rëndësishme e programit të këtij koalicioni është prodhimi i energjisë elektrike në vend dhe ulja e çmimit të saj. Haradinaj ka thënë se do të ulin çmimin e energjisë për 20 përqind dhe se nuk do të lejojnë që mafia energjetike të caktojë çmimin.
“Rrymën do ta prodhojmë vet dhe nuk do të lejojmë të na e caktojë çmimin mafia energjetike. Energjia nuk do të jetë malli më i shtrenjtë. Do ta ulim çmimin për 20 përqind,” ka premtuar Haradinaj.
Ai ka theksuar gjithashtu se për të arritur zhvillimin e dëshiruar, Kosova duhet të ketë siguri, dhe kjo mund të arrihet vetëm duke qenë e gjithë Kosova pjesë e NATO-s.