Hapet zyrtarisht fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit

11.01.2025

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë nis sot zyrtarisht dhe për 30 ditë me radhë subjektet politike do të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën e 9 shkurtit.

Gjatë afatit të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kanë dorëzuar aplikimin për certifikim dhe listën e kandidatëve, gjithsej 28 subjekte politike. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të këtyre subjekteve politike është 1,280.

Ndonëse fushata zyrtarisht fillon sot, partitë politike kanë filluar me organizimin e tubimeve dhe paraqitjen e programit të tyre qysh nga publikimi i datës së zgjedhjeve.

VV-ja këtë tubim do ta mbajë në sallën “Shani Nushi”, me sloganin “Cep më cep”, me kandidatin për kryeministër Albin Kurti, nga ora 18:00.

“Nesër, më 11 janar, e shtunë, në Sallën “Shani Nushi” në Gjakovë, duke filluar nga ora 18:00, hapim fushatën zgjedhore, fushatën e 500 mijë zemrave që rrahin si një. Kjo është fushata e fitores që kulmon më 9 shkurt 2025.” – thuhet në njoftimin e VV-së.

https://www.facebook.com/vetevendosje/posts/pfbid02Pke7fSXSBNc9WJLQt5kBmJ4K36p8JUzk2kmVnTraUwv5Y4Q4nLkHRhknmREi39ebl

LDK do të bëjë hapjen e fushatës zgjedhore nesër nga ora 17:00, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, me sloganin “Bëhu ndryshimi”.

PDK fushatën e saj do ta hapë në Prishtinë në sallën “1 Tetori” nga ora 16:30, ku edhe do të bëhet prezantimi i 110 kandidatëve të kësaj partie me sloganin “Kosova mundet më mirë”.

AAK tubimin kryesor për hapjen e fushatës ky koalicion do ta mbajë më 12 tetor në sallën “1 Tetori”, i cili do të fillojë nga ora 14:00. Slogani i AAK-së është “Për Kosovën fituese”.

Ndryshe, Bashkimi Evropian pret që zgjedhjet në Kosovë të zhvillohen sipas standardeve evropiane dhe të jenë transparente e gjithëpërfshirëse.