E marta, ditë tregu në Therandë: Hamdi Bytyçi premton kushte më të mira për tregtarët dhe qytetarët
Theranda sot ka pasur atmosferën e zakonshme të ditës së tregut, me rrugët e mbushura nga tregtarë, produkte vendore dhe qytetarë që shfrytëzojnë këtë ditë për të blerë dhe shitur.
Kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për kryetar të Komunës së Therandës, Ing. Hamdi Bytyçi, ka vizituar tregun, ku është ndalur për të biseduar me tregtarët rreth sfidave dhe nevojave të tyre.
Bytyçi theksoi se dëgjimi i qytetarëve nga afër është mënyra më e mirë për të kuptuar realitetin e tyre dhe për të hartuar politika që japin rezultate konkrete. Ai premtoi se me planin e tij qeverisës, tregu i Therandës do të marrë një pamje më të rregulluar, me infrastrukturë moderne dhe kushte më të mira si për tregtarët, ashtu edhe për qytetarët që vizitojnë tregun çdo javë.
“Synimi ynë është që tregu të mos jetë vetëm një hapësirë shitjeje, por edhe një vend i organizuar, i pastër dhe i sigurt, ku çdo tregtar dhe blerës të ndihet i respektuar dhe i përkrahur,” ka deklaruar Bytyçi, duke e cilësuar zhvillimin e tregut si pjesë të rëndësishme të programit për zhvillim ekonomik lokal.

