Kurti premton ndërtimin e Digës së Dragaçinës, pagë të 13-të, 1 miliardë për ushtrinë…
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar programin qeverisës për katër vjetët e ardhshme në një tubim me qytetarë të mbajtur në Prishtinë, ku ka shpalosur prioritetet kryesore të qeverisjes së ardhshme, me theks në siguri, zhvillim ekonomik, energji, mirëqenie sociale dhe rritje të standardit jetësor.
5 vendimet e para që do t’i marrë si Kryeministër Albin Kurti në mandatin e ardhshëm:
Miratimi i buxhetit rekord prej 4 miliardë eurosh për vitin 2026;
Procedimi i ligjit të ri për çmime tavan, me qëllim frenimin e abuzimit të tregtarëve me rritjen e çmimeve;
Procedimi i ndryshimit dhe plotësimit të ligjit që heq kufizimin e punësimit për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që përfitojnë beneficione;
Miratimi i vendimit për pagesën e pagës së 13-të për të gjithë shërbyesit publikë, që në fillim të vitit;
Miratimi i Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, në vlerë prej 200 milionë eurosh, e cila përmban:
a. Mbështetje të njëhershme për pensionistët, fëmijët që marrin shtesa, studentët dhe punëtorët e sektorit privat;
b. Rikthimin e Skemës për Subvencionimin e Kursimit të Energjisë Elektrike, nga e cila pritet të përfitojnë mbi 200 mijë familje përmes subvencionimit të faturave të energjisë elektrike.
Gjatë fjalimit të tij, Kurti premtoi investime prej 1 miliard eurosh në armatim dhe pajisje moderne ushtarake, duke theksuar se siguria kombëtare do të trajtohet jo vetëm si domosdoshmëri shtetërore, por edhe si mundësi për zhvillim ekonomik. Ai bëri të ditur se do të ndërtohet fabrika e municionit dhe e dronëve, duke e kthyer sektorin e sigurisë në motor të zhvillimit industrial, teknologjik dhe ekonomik të vendit, çka sipas tij do të sjellë vende të reja pune, transferim njohurish dhe rritje të kapaciteteve vendore.
Krahas investimeve në siguri, Kurti foli edhe për energjinë, duke premtuar ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike përmes shfrytëzimit të resurseve të linjitit. Ai theksoi se energjia mbetet një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit afatgjatë të vendit.
Një tjetër fokus i rëndësishëm i programit qeverisës, sipas Kurtit, do të jetë sigurimi i ujit të pijes për qytetarët. Ai paralajmëroi investime në vlerë prej 400 milionë eurosh për ndërtimin e pesë digave të reja në Firajë, Dragaqinë, Pollatë, Desivojcë dhe Kuqicë, të cilat do të shërbejnë për mbledhjen dhe menaxhimin e burimeve ujore në nivel vendi.
Duke folur për zhvillimin ekonomik, Kurti deklaroi se kur Qeveria e tij mori përgjegjësinë për udhëheqjen e vendit, Bruto Produkti Vendor ishte rreth 7 miliardë euro, ndërsa sot ka arritur në 11 miliardë euro. Ai shtoi se projekcionet tregojnë se vitin e ardhshëm BPV-ja do të arrijë në 12 miliardë euro. Sipas tij, kjo rritje nuk ka mbetur vetëm në statistika, por është përkthyer në rritje të pagave, pensioneve dhe mbështetjes për familjet, duke e cilësuar qeverisjen e mirë si garanci për vazhdimin e këtij trendi pozitiv.
Kurti premtoi se BPV-ja për kokë banori do ta tejkalojë vlerën prej 10 mijë eurosh, ndërsa paga minimale do të vazhdojë të rritet çdo vit. Ai rikujtoi se gjatë mandatit aktual paga minimale është rritur nga 170 euro në 500 euro, duke e cilësuar këtë si një ndryshim historik që ka rritur dinjitetin e punëtorit në Kosovë.
Në fjalën e tij, kryeministri foli edhe për rritjen e pagave në sektorin publik, duke bërë të ditur se gjatë mandatit aktual ato kanë shënuar një rritje mesatare prej 47 për qind. Ai tha se kjo rritje do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm, në përputhje me rritjen e buxhetit dhe performancën ekonomike, me synimin që paga mesatare në sektorin publik të tejkalojë 1 mijë euro në muaj.
Sa i përket pensioneve, Kurti theksoi se rritja e tyre do të vazhdojë paralelisht me rritjen e buxhetit dhe kompletimin e reformës pensionale. Ai shtoi se do të vazhdojë mbështetja për kategoritë e dala nga lufta, duke premtuar jo vetëm rritje të beneficioneve, por edhe ndryshime ligjore për të hequr padrejtësitë ekzistuese, përfshirë kushtëzimin e përfitimit vetëm për veteranët që nuk janë në marrëdhënie pune.
Gjatë shpalosjes së programit qeverisës, Kurti përmendi edhe rritjen e shtesave për fëmijë dhe lehona, rritjen e granteve për fermerë, si dhe përmirësimin e kushteve në shkolla, duke theksuar se investimi në mirëqenie sociale, arsim dhe bujqësi mbetet prioritet kyç i qeverisjes së tij për katër vjetët e ardhshme.