Diaspora voton, prin Gjermania me mbi 44 mijë votues
09.01.2025
Mbi 100 mijë shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësinë të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Një numër rekord i qytetarëve kosovarë që jetojnë në diasporë do të marrin pjesë në procesin zgjedhor në vendin e tyre të origjinës. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, afro 105 mijë shtetas të Kosovës janë regjistruar për të ushtruar të drejtën e tyre të votës në këto zgjedhje.
Gjermania kryeson listën e vendeve me numrin më të madh të votuesve kosovarë në diasporë, me mbi 44 mijë qytetarë të regjistruar.
Pjesëmarrja e diasporës në këto zgjedhje do të jetë e mundur në dy mënyra:
- Votim me postë: Shumica e votuesve, rreth 84.525, kanë zgjedhur të votojnë me postë. Ata do të dërgojnë fletëvotimet e tyre në kutitë postare të KQZ-së, qoftë në Kosovë ose në vende të tjera ku janë vendosura kuti të tilla.
- Votim fizik në përfaqësitë diplomatike: Një numër më i vogël votuesish do të kenë mundësinë të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Kosovës në vendet ku jetojnë, më 8 shkurt.