Bisedimet nuk dhanë rezultat për koalicion, Limaj i hyn garës i vetëm për zgjedhjet e 28 dhjetorit
Nisma Socialdemokrate ka zyrtarizuar vendimin për të hyrë e vetme në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke i vënë pikë të gjitha spekulimeve për një bashkëpunim parazgjedhor me subjektet tjera politike.
Konfirmimi u bë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili njoftoi se Nisma ka aplikuar si subjekt i pavarur politik për certifikim.
Ky vendim vjen pas disa javësh diskutimesh dhe zërave për një koalicion të mundshëm të Nismës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Edhe vetë kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ditë më parë kishte pohuar se janë në bisedime me LDK-në, duke mohuar ndërkohë çdo mundësi për bashkëpunim me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
“Jemi në bisedime me LDK-në, sa i përket PDK-së nuk kemi pas ftesë dhe rrjedhimisht nuk ka ndodh asnjë takim”, kishte deklaruar Limaj.
Mosmarrëveshjet me AAK-në dhe prishja e koalicionit të kaluar
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, NISMA kishte garuar në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me të cilën siguruan tri ulëse në Kuvend. Në ato zgjedhje, Fatmir Limaj mori 25 mijë e 718 vota. Megjithatë, pas shpalljes së rezultateve, raporte të tensionuara lindën mes dy liderëve, Limajt dhe Ramush Haradinajt, sidomos pas deklarimeve të Limajt se ishte i hapur për bashkëpunim me liderin e LVV-së, Albin Kurti.
Së fundmi, nënkryetari i AAK-së, Daut Haradinaj, u shpreh se koalicioni me Nismën i kishte shkaktuar dëm subjektit të tij.
“Nuk kemi asgjë personale, as me zotin Kurti, as me Limajn, por nuk funksionoi ai koalicion. Mendoj që kemi pasur një dëm, dhe jemi shumë të interesuar me shku kështu, qysh jemi”, deklaroi Haradinaj.
Koalicionet për zgjedhjet e 28 dhjetorit – Nisma jashtë çdo marrëveshjeje
Edhe pse bisedimet me LDK-në u zhvilluan, ato nuk rezultuan në një marrëveshje konkrete. Mbyllja e afatit për paraqitje të koalicioneve dhe partive politike e gjeti Nismën të pozicionuar e vetme në garë, për dallim nga subjektet tjera që shfrytëzuan afatin për të krijuar aleanca.
Sipas KQZ-së, për zgjedhjet e 28 dhjetorit kanë aplikuar tre koalicione dhe 17 parti politike – ndër to edhe Nisma Socialdemokrate, tashmë si subjekt i pavarur.
Çfarë pritet nga Nisma?
Partia e drejtuar nga Fatmir Limaj pritet që ditëve në vijim të publikojë listën e plotë të kandidatëve si dhe platformën e saj zgjedhore, me të cilën synon votën e qytetarëve në zgjedhjet e fundvitit.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit pritet të jenë të një rëndësie të veçantë për Nismën, e cila rikthehet në garë e vetme, përballë një skene politike dinamike dhe me konkurrencë të shtuar.