Besnik Tahiri optimist për rezultatet e AAK-së në zgjedhje, e vetme merr 15% të votave
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, shprehu besim të plotë në suksesin e partisë së tij në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në një intervistë të dhënë për emisionin “Blic Interview”, Tahiri vlerësoi se AAK ka potencial të fitojë deri në 15% të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit. Këtë shifër, sipas tij, partia mund ta tejkalonte nëse do të shkonte në zgjedhje në koalicion me Nismën.
“Kur i shoh numrat, kur i analizoj numrat e 14 shkurtit është problem më thënë këtë, kur e sheh punën që e kemi bërë dhe analizon ndryshimet strukturore që kemi bërë në komuna besoj se kemi me fitu. Ishim afër të fitonim në Deçan ashtu edhe në Rahovec nuk e di saktë. Tre vite janë bërë, kanë hyrë në vitin e katërt kryetarët tanë të komunave që punojnë, kjo ka ndikim. Pres rezultat të mirë në Pejë. Besoj që vijmë te 15% pa e fut Nismën”, u shpreh Tahiri.
Tahiri theksoi se AAK ka punuar shumë në terren dhe se rezultatet e zgjedhjeve lokale janë një dëshmi e kësaj. Ai shtoi se qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm dhe se do të shpërblejnë punën e mirë.
“Opozita duhet të bëjë kalkulime në 800 mijë banorë, nuk pres që do ketë rënie në pjesëmarrje në zgjedhje. Qytetari i Kosovës është qytetar politik, më bënë optimist fakti se qytetarët dijnë të dënojnë ashtu siç dijnë edhe të shpërblejnë“, tha më tej deputeti i AAK-së.
Deklaratat e Tahirit vijnë në një kohë kur fushata elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit është duke u intensifikuar. Partite politike po premtojnë reforma të mëdha dhe një jetë më të mirë për qytetarët.