Tahiri: AAK nuk kërkon pjesë në Qeveri, por ka gjashtë kërkesa për konstituimin e institucioneve
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka deklaruar se partia e tij nuk synon të jetë pjesë e Qeverisë së re dhe nuk kërkon poste apo privilegje politike.
Foto: Ilustrim
Tahiri tha se AAK është e gatshme të ndihmojë në konstituimin e institucioneve të reja, por vetëm nëse merren parasysh gjashtë pikat e saj, të cilat, sipas tij, lidhen me interesat e Kosovës dhe jo me përfitime për partinë.
“Jemi të vetmit që kemi një pozicion publik në raport me konstituimin. S’duam të jemi pjesë e Qeverisë, s’të marrim as hise, as privilegj, asnjë pozitë në Qeveri”, ka thënë Tahiri.
Ai ka theksuar se AAK e sheh si rrezik mundësinë që vendi të kalojë nga një cikël zgjedhor në tjetrin, duke vlerësuar se kjo do të ishte e dëmshme për shtetësinë dhe funksionimin institucional të Kosovës.
Tahiri ka paralajmëruar se, nëse kërkesat e AAK-së nuk merren parasysh, kjo parti nuk do të përkrahë një marrëveshje që nuk i plotëson kushtet e saj.“Ne kemi gjashtë pika. Ato s’lidhen me Aleancën. Ndërlidhen me Kosovën”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, AAK dëshiron që institucionet të konstituohen dhe vendi të mos shkojë drejt zgjedhjeve të reja, por përkrahja e saj do të varet nga trajtimi i kërkesave të paraqitura.
