Albin Kurti premton investime të mëdha në Viti, ndërtimin e Palestrës Sportive dhe përfundimin e projekteve infrastrukturore
Kandidati për kryeministër nga koalicioni Lëvizja e Vetëvendosje, Lista Guxo dhe Alternativa, Albin Kurti, në një tubim elektoral në komunën e Vitisë, premtoi investime të mëdha në këtë komunë.
Kurti theksoi se prioritetet e tij për Vitisën janë përfundimi i projekteve infrastrukturore, ndërtimi i Palastrës Sportive dhe sigurimi i ujit të pijshëm për të gjithë banorët.
Në lidhje me projektet infrastrukturore, Kurti njoftoi se punimet për kyqjen e banorëve të Vitisë me autostradën “Arbën Xhaferi” do të nisin sapo të lejojë moti dhe do të përfundojnë në fund të pranverës. Ky projekt, sipas tij, do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të komunës dhe do të lehtësojë komunikimet.
“Palestra e Sporteve e cila ka stagnuar këtu për shumë vjet, ne ia kemi dhënë vëmendjen e duhur. Punimet atje po vazhdojnë e në mandatin tonë të radhës, Vitia do ta ketë Palestrën Sportive, që e ka pritur kaq gjatë e që meriton aq shumë”, u shpreh Kurti.
Gjithashtu, Kurti premtoi se me ndërtimin e digës së ujit në Firaj, të gjithë banorët e Komunës së Vitisë do të furnizohen me ujë të pijshëm dhe do të përmirësohen kushtet për bujqësi.
Duke folur për arritjet e qeverisë së tij në mandatin aktual, Kurti theksoi se qeveria është përqendruar në katër shtylla kryesore: zhvillimin ekonomik, përparimin demokratik, shpërndarjen sociale dhe stabilitetin institucional. Sipas tij, qeveria ka pasur sukses të plotë në të gjitha këto shtylla.